Një operacion i gjerë policor është zhvilluar në orët e para të mëngjesit të 28 majit në disa lokacione të Prishtinës, ku janë bastisur tetë adresa të ndryshme nën dyshimin për trafik të armëve dhe substancave të ndaluara, mëson Sinjali nga burimet brenda hetuesisë.
Ky aksion është udhëhequr nga Sektori i Hetimeve i Departamentit të Kufirit, në bashkëpunim me njësi të specializuara dhe është realizuar mbi bazën e një urdhërese të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, për veprën penale: “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve ose mjeteve plasëse”.
Gjatë bastisjeve janë sekuestruar: Një pushkë automatike AK-47, rreth 23 fishekë për armën automatike, 2 magazina (karikatorë), një bajonetë dhe një thikë, 78 gramë substancë e dyshuar narkotike dhe shtatë telefona celularë, të dyshuar si pjesë e komunikimeve të ndaluara.
Të dyshuar në këtë rast janë: Florim Krasniqi, rreth 30-vjeçar, Altin Berisha, rreth 23-vjeçar, Ridvan Hajdari, rreth 19-vjeçar dhe Enis Sherifi, rreth 27-vjeçar.
Pas procedurave të intervistimit dhe dokumentimit të provave, me urdhër të Prokurorit të rastit, të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet janë në vijim për të zbuluar nëse pas këtij rrjeti fshihet strukturë më e gjerë kriminale.