Avokati Gazmend Halili ka aderuar sot në partinë “Guxo”. Bashkëdrejtuesit e kësaj partie, Faton Peci dhe Donika Gërvalla, thurën lavde për të kur e prezantuan, e madje duke thënë se “shquhet për integritet”.

Mirëpo, i njëjti ishte shpallur fajtor në dhjetor të vitit 2021 dhe ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 2 viteve për keqpërdorim seksual të një 16-vjeçarje.

Ai e kishte nxjerrë në publik rastin për të miturën e cila ishte keqpërdorur seksualisht fillimisht një mësimdhënës, pastaj nga polici hetues tek i cili viktima kishte shkuar për ta paraqitur rastin. Halilaj e kishte dorëzuar kallëzimin penal në Prokurori, e pas ishte arrestuar edhe ai vetë nën dyshimet për abuzim me viktimën. Ndaj tij ishte ngritur aktakuzë për shkak të veprave penale “Keqpërdorimi seksual duke keqpërdorur pozitën, autoritetin apo profesionin”, nga neni 239 paragrafi 1 pika 1.3 të KPRK-së dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”, nga neni 395 të KPRK-së.

Në janar të këtij viti, Halilaj është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit për çdo pikë të akuzës që rëndonte mbi të.

Njoftimin për aderimin e Halilajt, partia “Guxo” e ka bërë sot.

“I shquar për integritetin e vendosmërinë, guximtar dhe idealist në bindje e qëndrime, avokati Halilaj i bashkohet Partisë Guxo në betejën e përjetshme për një Kosovë të lirë, sovrane, të zhvilluar, demokratike dhe një shtet ku triumfon, sundon e mbizotëron e drejta. Zëri i guximtarit Halilaj i nevojitet drejtësisë, e drejtësia i nevojitet Kosovës”, thuhet në njoftim.

Ndryshe, Gazmend Halilaj, më 14 prill 2020, ishte plagosur me armë zjarri në një pritë para shtëpisë së tij në Skënderaj. Për këtë rast më 29 janar 2024, Gjykata Themelore e Prishtinës, i ka dënuar me 5 vite e pesë muaj burgim dhe 3 mijë euro gjobë Ibrahim Lushtakun dhe Xhelal Zeqirin, të cilët akuzoheshin për tentim vrasjen e Halilajt.

Në këtë rast i akuzuar ka qenë edhe ish-kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, i cili pasi ka pranuar fajësinë, është shpallur fajtor për kanosjen e avokatit Halilaj. Për këtë vepër penale, Gjykata i ka shqiptuar Lushtakut dënim me 2 mijë euro gjobë.