Bizneset e mëdha në Kosovë, nga 1 qershori, kanë dalë në tregun e hapur të energjisë, duke u dhënë fund çmimeve të rregulluara nga institucionet shtetërore. Subjektet ekonomike e kanë kundërshtuar këtë vendim, duke kërkuar shtyrjen e tij deri në një përgatitje më të mirë. Tashmë ka nis edhe mbyllja e fabrikave..

70 punëtorë janë njoftuar të mos dalin në punë në një fabrikë tekstili në Ferizaj: deri në një njoftim tjetër.

Nacionale ka raportuar se ka biseduar me kompaninë në fjalë, por se nuk kanë dashur ende të bëhet publike emri i tyre pasi janë pritje “edhe 10 deri në 16 ditë” duke i shqyrtuar ligjërisht “disa çështje”.

Por, nga 140 punëtor sa punësojnë, na thanë se do të detyrohet ta mbyllin të gjithë repartin e prodhimit “deri në 90 punëtorë” si pasojë e çmimeve të energjisë elektrike në të ashtuquajturin treg “të lirë” ku çmimet e energjisë po u ofertohen deri në trefish.

Kjo pasoja e parë pas hyrjes në efekt të të ashtuquajturit “treg të lirë” të energjisë elektrike për 1 mijë e 3000 biznese prodhuese nga ZRrE (lexo: Qeveria e Kosovës) pa u përmbushur kushtet për treg të lirë, pa u siguruar konkurrencë siç e kërkon ligji – në një gjendje monopoloni me vetëm KESCO-n ofertues: në çmime deri në trefish.

Këta prodhues kanë kërkuar 1 vit afat për përgatitje, përshtatje dhe krijim të kushteteve të tregut të lirë – dhe jo futjen dhunshëm me vendim qeveritar në një situatë ku kostot e energjisë trefishojnë barrën e kostove operacionale. Kjo barrë, thonë ata, përkthehet në: në reduktim të vendeve të punës, në rritje të çmimeve të produkteve të tyre nga ç’ka më nuk mund të konkurrojnë në treg e deri në falimentim. Për më tepër, hyrja në fuqi nga 1 qershori, i qet ata para një fakti të kryer, kur ata veçse i kanë kontratat e shitjes/eksportit një vjeçare.

– “Tash, kur çmimet e prodhimit shkojnë shumë lart, na duhet ta mbyllim këtë repart (prodhimi)”, na thanë nga kompania që ka njoftuar 70 punëtorë të mos dalin në punë, me të cilin ka biseduar.

Në tërësi, sa persona punësoni – dhe sa nga vendet e punës mund t’i shkëputni?

40 punëtorë. Mendoj se 80 deri në 90 vende të punës duhet t’i shkëpusim – por, duhet t’i bëjmë përllogaritjet, me këtë edhe po merremi

Pra, më shumë se gjysmën e fuqisë punëtore?

Po, më shumë se gjysmën.

Me ç’kupton, vetë pronari i kësaj fabrike i kishte thënë drejtpërsëdrejti deputetit që ushtron edhe postin e kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, në një takim të mbajtur kohëve të fundit me bizneset se kështu edhe do të ndodh nëse me 1 qershor nis zbatimi i këtij vendimi. Për më tepër, i njëjti i ka thënë Kurtit se planifikonte të zgjeronte ndërmarrësinë e vet deri në 2 mijë punëtorë, por asgjë.

Kupton po ashtu se fabrika të tjera veçse kanë ndalur punën e maçinerive prodhuese dhe janë buzë marrjes së vendimit për mbyllje ose reduktim të stafit punues.

Edhe Ilir Ibrahimi nga Oda Ekonomike Amerikane shkroi se sot ka marrë telefonatë për “mbylljen e një fabrike”. Ibrajhimi tha se bizneset prodhuese janë duke përjetuar “zhgënjim më të thellë se çdo krizë ekonomike”.

“Sot po mbyllen dyert e fabrikave që dikur gumëzhinin nga puna. Jo për shkak të dështimit, jo për mungesë vizioni apo për mungesë përkushtimi – por për shkak të një vendimi të paarsyeshëm, të marrë në zyrat e ftohta të pushtetit, larg realitetit të biznesit dhe larg njerëzve që mbajnë gjallë këtë vend”, tha ai.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP) ka reaguar ndaj ndërprerjes së procesit të liberalizimit të tregut të energjisë, duke kritikuar qasjen e institucioneve dhe mungesën e transparencës në këtë proces. Burim Ejupi nga INDEP deklaroi se vendimi për ta ndalur liberalizimin ishte i papritur dhe ka krijuar pasiguri në treg dhe te bizneset e prekura.

“Ky debat ka filluar në vitin 2016 me pakon e tretë të ligjit për energji – një obligim i Sekretariatit të Energjisë. Që atëherë ka qenë e qartë se tregu duhet të liberalizohet,” tha Ejupi. Ai në emisionin “Five” kujtoi se Zyra e Rregullatorit për Energji kishte publikuar një udhëzues të qartë në vitin 2017, sipas të cilit liberalizimi do të ndodhte në tri faza.