Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar në lidhje me sulmin fizik ndaj gjinekologut Afrim Veliu, dhe mjetin shpërthyes të vendosur ditë më vonë pranë ordinancës së tij në lagjen Ulpianë të Prishtinës.

Përmes një njoftimi në Facebook, policia ka bërë të ditur se ka sekuestruar prova gjatë bastisjes në banesën e të dyshuarit në Fushë-Kosovë, transmeton Klankosova.tv.

“Më 20.05.2025, një qytetar u sulmua fizikisht nga një person i panjohur përballë ordinancës së tij, duke pësuar lëndime të lehta trupore. Katër ditë më vonë, më 24.05.2025, në hyrje të së njëjtës ordinancë, u gjet një granatë dore F-1 pa mekanizëm ndezës, e cila u largua në mënyrë të sigurt nga Njësia për Trajtimin e Mjeteve Eksplodues (NJTME).

Pas hetimeve të thelluara, dje në Fushë Kosovë është identifikuar dhe arrestuar njëri nga të dyshuarit. Gjatë bastisjes në adresën ku qëndronte me qira, janë sekuestruar prova relevante.

Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë për veprat penale “Kanosja” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.

Hetimet janë duke vazhduar në koordinim të ngushtë me Prokurorinë, me qëllim të identifikimit të personave tjerë të përfshirë dhe zbardhjes së plotë të rastit.

Policia e Kosovës falënderon qytetarët për bashkëpunimin dhe vigjilencën, dhe riafirmon përkushtimin e saj për garantimin e sigurisë publike, parandalimin e rreziqeve dhe zbulimin e çdo vepre penale që cenon rendin dhe qetësinë publike”, thuhet në njoftimin e policisë në Facebook.