Gjykata e Apelit ka konfirmuar vendimin për caktimin e një muaji paraburgim ndaj Gani Gecit, nën dyshimin për kanosjen e gazetarit Lirim Mehmetaj.
“Ju konfirmojmë se Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktvendimin e gjykatës së shkallës së parë, të datës 14.10.2026”, thuhet në përgjigjen e Apelit të datës 23 tetor 2026.
Rasti lidhet me një postim kritik ndaj deputetit Fatos Geci, të cilin Gani Geci dyshohet se i kërkoi Mehmetajt ta ndryshonte ose ta hiqte. Sipas raportimeve të mëhershme të Nacionales, ai i kishte thënë gazetarit: “Pashë një Zot, mos na merr në qafë, ndërro postimin se na duhet me u vra”.
Sipas dosjes së Prokurorisë, ngjarja kishte ndodhur më 11 tetor në zyrat e Vox Kosova, ndërsa Mehmetaj e kishte raportuar rastin në polici një ditë më vonë. Prokuroria kishte përmendur edhe qëndrimin e Gecit për rreth dy orë pranë televizionit Dukagjini, ku gazetari po merrte pjesë në emisionin “Debat Plus”.
Më 14 tetor, Gjykata Themelore në Prishtinë ia caktoi Gecit 30 ditë paraburgim.















