Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 20 personave të dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Gjakovës, duke propozuar që gjykimi ndaj tyre të zhvillohet në mungesë.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, të pandehurit akuzohen për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, të kryera gjatë viteve 1998-1999.
Në mesin e të akuzuarve janë M.K., R.C., M.D., P.R., S.K., L.O., Zh.S., S.S., L.D., Z.R., D.G., Ç.B., V.B., R.B., R.R., L.R., M.Sh., M.R., S.G. dhe T.A.
Prokuroria pretendon se gjatë periudhës së luftës në Kosovë, M.K., në cilësinë e shefit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme (SUP) në Gjakovë, R.C., si komandant i njësive të Policisë së Posaçme (PJP), dhe M.D., si komandant i Brigadës së 52-të të Artilerisë Raketore, së bashku me pjesëtarët e këtyre njësive, kanë marrë pjesë në një operacion të gjerë ushtarako-policor.
Sipas aktakuzës, gjatë këtij operacioni janë vrarë 107 civilë në Komunën e Gjakovës.
“Gjatë këtij operacioni, të pandehurit fillimisht kanë ndarë gratë dhe fëmijët nga burrat. Gratë janë plaçkitur, duke iu marrë stolitë e arit, paratë dhe sendet e tjera me vlerë, ndërsa burrat janë ekzekutuar në shtëpitë dhe oborret e tyre, si dhe në lokacionin e njohur si ‘Ura e Taliqit’”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Po ashtu, sipas Prokurorisë, gjatë këtij operacioni janë djegur edhe shtëpitë e banorëve.
Prokuroria Speciale ka bërë të ditur se ndaj të pandehurve është propozuar mbajtja e gjykimit në mungesë, ndërsa rasti do të procedohet më tej pranë institucioneve përkatëse të drejtësisë.















