Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm pranë qytetit Koblenz në Gjermani, ku për pasojë kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë dhe katër të tjerë janë plagosur.
Lajmi është konfirmuar nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë, e cila bën të ditur se të plagosurit po marrin trajtim në spitalet lokale. Ndërkohë, Ambasada e Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe po ndjekin nga afër zhvillimet.
Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në proces. Ministria ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave dhe ka uruar shërim të shpejtë për të plagosurit. Strukturat konsullore shqiptare në Gjermani janë angazhuar për të ofruar mbështetje për të prekurit dhe për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.