Dy persona kanë mbetur të plagosur nga të shtënat me armë zjarri në Gjakovë. Incidenti ka ndodhur të martën, më 10 nëntor, rreth orës 16:30.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, i dyshuar për rastin është një person, i cili dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri ndaj dy meshkujve kosovarë.
Të plagosurit janë dërguar për trajtim mjekësor dhe, sipas mjekëve, janë jashtë rrezikut për jetë. Policia ka bërë të ditur se palët e përfshira në incident kanë lidhje familjare, ndërsa motivi i rastit ende nuk dihet.
I dyshuari është arrestuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar një armë që dyshohet se është përdorur në incident, katër gëzhoja dhe një fishek.
Po ashtu, bashkëshortja e të dyshuarit ka dorëzuar në polici edhe një armë gjuetie që ishte në pronësi të tij.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje pas intervistimit. Rasti është iniciuar për veprat penale “Vrasje në tentativë” dhe “Armëmbajtje pa leje”.















