Transporti hekurudhor në Kosovë po përballet me probleme të vazhdueshme, të cilat gjatë dy vjetëve të fundit kanë shkaktuar edhe ndërprerje të qarkullimit të trenave. Pakënaqësitë e punëtorëve lidhur me pagat dhe kushtet e punës kanë kulmuar me protesta dhe greva, duke lënë për ditë të tëra pa funksionuar.

Megjithatë, të dhënat statistikore tregojnë një paradoks: pavarësisht ndërprerjeve të qarkullimit dhe problemeve të vazhdueshme në këtë sektor, numri i qytetarëve që kanë përdorur transportin hekurudhor ka shënuar rritje.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), gjatë vitit 2024 transportin hekurudhor e kanë përdorur 68 mijë e 249 udhëtarë, ndërsa në vitin 2025 ky numër është rritur në 87 mijë e 781. Kjo paraqet një rritje prej rreth 28.6 për qind brenda një viti, apo 19 mijë e 532 udhëtarë më shumë.

Gjendja paraqitet edhe më problematike kur bëhet fjalë për transportin e mallrave. Sipas ASK-së, gjatë vitit 2024, përmes hekurudhave janë transportuar gjithsej 92 mijë e 426 tonë mallra, ndërsa në vitin 2025 nuk është regjistruar asnjë sasi e transportuar.

Pra, përderisa transporti i udhëtarëve shënoi rritje prej 28.6 për qind gjatë vitit 2025, transporti hekurudhor i mallrave ra në zero. Kjo tregon se rritja e numrit të udhëtarëve nuk është reflektuar në të gjitha segmentet e funksionimit të hekurudhave dhe se sektori vazhdon të përballet me probleme serioze operacionale.

Po ashtu, rritja e numrit të udhëtarëve nuk është shoqëruar me stabilitet në funksionimin e këtij sektori. Vetëm gjatë vitit 2025, Sindikata e Hekurudhave ka organizuar dy greva, gjatë të cilave kishte paralajmëruar se asnjë tren nuk do të qarkullonte në territor.

Greva e mbajtur në qershor kishte zgjatur për dy ditë radhazi, duke paralajmëruar ndërprerjen e plotë të qarkullimit hekurudhor.

Ndërprerjet e qarkullimit kanë vazhduar edhe këtë vit. Greva e nisur të hënën e këtij viti ka shkaktuar sërish pezullimin e qarkullimit të trenave. Në këtë grevë, sikurse edhe në ato paraprake, punëtorët kanë kërkuar rritjen dhe indeksimin e pagave, përmirësimin e kushteve të punës, si dhe shtimin e masave të sigurisë në vendin e punës.

Përfaqësuesit sindikalë në prill të vitit të kaluar, i kishin dërguar letër Ministrisë së Ekonomisë, duke paralajmëruar protesta. Në letër thuhej se pagat nuk ishin rritur për 15 vjet dhe se inflacioni dhe ngritja e çmimeve ua kishin vështirësuar jetesën punëtorëve.

Pas paralajmërimit të tyre, për punonjësit pati rritje të pagës pazë në vlerë prej 30 eurosh, 2.50 euro shujtë ditore për çdo ditë pune. Sindikata kishte thënë se me fondin e plotë të orëve të punës, përfitimi shtesë arrinte deri në 85 euro në muaj.

Kjo gjendje rëndohet edhe më shumë nga infrastruktura e papërfunduar hekurudhore, pasi një pjesë e rëndësishme e rrjetit vazhdon të jetë jashtë funksionit.

Linja 10, e cila lidh Fushë-Kosovën me Hanin e Elezit dhe vazhdon drejt Mitrovicës e Leshakut, vazhdon të përballet me vonesa në procesin e rehabilitimit. Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit kishte treguar se deri në vitin 2025 ishte përfunduar vetëm 60 për qind e fazës së parë dhe 32 për qind e fazës së dytë të projektit.

Përveç problemeve me infrastrukturën dhe ndërprerjeve të qarkullimit, përgjegjësia për funksionimin e ndërmarrjes dhe kushtet e punëtorëve shtrihet edhe te organet drejtuese dhe institucionet mbikëqyrëse.

TRAINKOS-i është ndërmarrje publike në pronësi të Qeverisë. Vendimet për pagat dhe kompensimet e punëtorëve merren nga organet drejtuese të ndërmarrjes, në përputhje me kompetencat ligjore dhe rregulloret në fuqi.

Bordi i Drejtorëve është përgjegjës për miratimin e vendimeve për pagat, ndërsa menaxhmenti për zbatimin e tyre. Ministria e Ekonomisë, në kuadër të përgjegjësive të saj si përfaqësuese e aksionarit, ushtron mbikëqyrjen ndaj ndërmarrjes, ndërsa Ministria e Financave ka përgjegjësi në çështjet që lidhen me ekzekutimin e mjeteve financiare publike.