Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës (SHSKUK) ka bërë të ditur se do të procedojë me suspendimin e drejtorit të Spitalit të Përgjithshëm të Mitrovicës, Dr. Gëzim Berisha, pas konfirmimit zyrtar nga organet e rendit dhe drejtësisë për ndalimin e tij.
Në një komunikatë për media, SHSKUK ka bërë të ditur se masa e suspendimit do të ndërmerret në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Institucioni i ka cilësuar jashtëzakonisht të rënda pretendimet për dhunë në familje dhe kanosje, duke theksuar se ka qëndrim të tolerancës zero ndaj çdo forme të dhunës dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Si nisi gjithçk
Ndërkohë, SHSKUK ka siguruar se do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të garantuar vazhdimësinë e udhëheqjes dhe funksionimin normal të Spitalit të Mitrovicës, pa penguar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për pacientët.
Berisha është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për veprën penale “Dhuna në familje”.
Ai dyshohet se e ka kërcënuar bashkëshorten duke i thënë se do t’i ndodhë e njëjta gjë sikurse Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës.
Ndërkohë, ndalimin e drejtorit të spitalit e ka konfirmuar edhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.Reklamë
Zëdhënësja e kësaj prokurorie, Kaltrina Shala, ka konfirmuar për Gazetën Sinjali se personi me inicialet G.B. është ndaluar për 48 orë, me urdhër të prokurorit kujdestar, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Dhuna në familje”.
“Ju konfirmojmë se me urdhër të Prokurorit kujdestar, është ndaluar për 48 orë personi me inicialet G.B., nën dyshimin për kryerjen e veprës penale ‘Dhuna në familje’”.
Sipas saj, Prokurori i Shtetit është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Shqetësues mbetet vazhdimi i raportimeve për raste të dhunës në familje dhe kërcënime ndaj grave, veçanërisht në një kohë kur vrasja e Arlinda Zekajt ka tronditur opinionin publik dhe ka nxitur protesta të njëpasnjëshme për përgjegjësi institucionale. Fakti që edhe në këtë rast raportohet për një kërcënim me referencë ndaj vrasjes së saj, e bën edhe më alarmues fenomenin e dhunës dhe nevojën për reagim serioz të institucioneve
Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor 2026 në Vitomiricë të Pejës nga Albert Sylaj, ish-kunati i saj. Vrasja ndodhi pasi Arlinda Zekaj më herët kishte raportuar ish-bashkëshortin e saj, Jeton Sylaj, për dhunë në familje.
Rasti i saj kishte nxitur reagime dhe protesta në disa qytete të Kosovës, me kërkesa për përgjegjësi institucionale dhe mbrojtje më të madhe për viktimat e dhunës në familje.















