Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, është kritikuar për paraqitje jo dinjitoze në mbledhjen e mbrëmshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ku u diskutua për zhvillimet në Kosovë.
Gjuha me të cilën e ka kundërshtuar dënimin e krerëve të UÇK-së në forumin ku ishin të pranishëm ambasadorët e Fuqive të Mëdha është vlerësuar si shumë e butë.
Derisa para mediave kryediplomati kosovar ka përdorur gjuhë shumë më të ashpër ndaj aktgjykimit dënues të Gjykatës Speciale për çlirimtarët , ai mbrëmë u mjaftua me fjalë të zbehta.
Më 16 shtator, pas shqiptimit të dënimit me 81 vite burgim për çlirimtarët, Konjufca para media kishte thënë se aktgjykimi është i tmerrshme.
Por, në paraqitjen e djeshme ai e ka “harroi” këtë fjalë.
Shefi i diplomacisë kosovare në paraqitjen e tij foli vetëm për korrigjim dhe ulje të dënimit për çlirimtarët në Apel.
“Aty u theksua qartë që lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk është në gjykim dhe vendimi nuk ka për qëllim të humb vlerën e luftës çlirimtare e pastaj edhe shpalljen e shtetit të pavarur si elementi më i rëndësishëm i stabilitetit të rajonit. Pavarësisht kësaj kemi shqetësime serioze për sa i përket dënimeve të ashpra. Ne mendojmë se ato përmbajnë gabime në kuptimin e përmbajtjes dhe fakteve dhe presim që në Apel t’i korrigjojmë këto”, ka deklaruar Konjufca.
Numri dy i Qeverisë Kurti, krejt tjetër fjalor kishte përdorur më 16 shtator.
Pas seancës gjyqësore ku shkalla e parë e Gjykatës Speciale e kishte dënuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin me 81 vite burgim, kishte vlerësuar se ky dënim është i tmerrshëm.
“E vlerësojmë si një gjykim të tmerrshëm për Kosovën, për popullin tonë, për luftën tonë çlirimtare. Populli i Kosovës vet e ka përjetuar luftën dhe e di se çfarë është lufta çlirimtare e Kosovës dhe ne e dimë që nuk ka pasur kurrfarë mekanizmi kriminal për ta cenuar asnjë popullatë brenda Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk mund të gjesh kurrfarë programi, kurrfarë qëllimi brenda UÇK-së me këto të cilat po pretendon gjykata. Është një vendim vërtetë i trishtueshëm, i pa drejtë, i pamerituar për katërshen udhëheqëse të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Është vërtetë diçka për të cilën do të jetë një dëm shumë i madh edhe për narracionin tonë edhe për shtetin e Kosovës”, kishte thënë Konjufca.
Vlerësimet e buta të kryediplomatit të Kosovës në Këshill të Sigurimit kanë nxitur reagime të fuqishme në Kosovës.
Ish-deputeti i Aleancës, Daut Haradinaj, ka vlerësuar se paraqitje e Konjufcës në Këshill të Sigurimit ishte e turpshme.
Në profilin e tij në Facebook, ai ka shkruar se në këtë mbledhje Kosova ishte e poshtëruara.
“Një Kosovë e poshtëruar deri në këtë pikë kurrë s’e kam prit. Bota po na sheh çuditshëm, sikur na kemi vra e pre popuj, pa e thënë të vërtetën për luftën dhe gjakderdhjen tonë për liri. Marre, Glauk! Kurrë s’kemi me u ndalë deri te e vërteta jonë, o të pafytyrë! PDK, a jeni kund…?”, ka shkruar ai.
Edhe deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka kritikuar ashpër paraqitjen e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo ka bërë me dije se në paraqitjen e tij kryediplomati kosovar dënimin prej 81 vite burgim të krerëve të UÇK-së e trajtoi me një gjuhë të zbehtë.
Në profilin e saj në Facebook, ajo ka shkruar se Konjufcës i mjaftoi konstatimi se aktgjykimi i Speciales ka “gabime në përmbajtje dhe fakte”.
“Në Këshillin e Sigurimit, Glauk Konjufca e trajtoi aktgjykimin ndaj çlirimtarëve tanë me një gjuhë të zbehtë, duke u mjaftuar me konstatimin se ka “gabime në përmbajtje dhe fakte” që pritet të korrigjohen në Apel! 81 vjet burg për katër figura të luftës sonë çlirimtare meritojnë shumë më tepër sesa një shprehje shqetësimi! ASNJË fjalë për rolin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimi në çlirimin, pavarësinë dhe shtetndërtimin e Kosovës!”, ka shkruar ajo.















