Aktgjykimi dënues i 16 shtatorit i shkallës së parë ndaj ish-krerëve të UÇK’së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi u përball me kundërshti të mëdha në Kosovë, duke shtuar zërat për zhbërjen e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Për këtë kërkesë për zhbërje, që u artikulua edhe dje në protestën në mbështetje të katërshes, ndryshe deklarohen nga Haga.
Zëdhënësi i Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës në Hagë, Chris Bennett, tha se ky institucion nuk komenton ekzistencën apo hollësitë e ndonjë hetimi, apo se kur do të përfundojë mandati i saj.
“Mandati i Zyrës së Prokurorit të Specializuar vazhdon derisa Këshilli i Bashkimit Evropian t’i njoftojë institucionet e Kosovës se hetimet dhe çdo procedurë që rrjedh prej tyre kanë përfunduar”, sqaron ai në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Duke e konsideruar si vendim të padrejtë dhe të pabazuar në fakte, disa deputetë të PDK’së në Kuvendin e Kosovës kërkuan të mbahet një seancë për zhbërjen e Speciales.
Kryetari i kësaj partie, Bedri Hamza, kur u pyet për mundësinë e zhbërjes e këtij institucioni, tha se “të gjitha veprimet demokratike dhe ligjore janë të mundshme”















