Në seancën fillestare të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i akuzuari Fatmir Sheholli, u deklarua i pafajshëm lidhur me akuzën për “Spiunazh” dhe “Shantazh”.

“E ndiej veten të pafajshëm”, deklaroi Sheholli.

Deklarimin rreth fajësisë, Sheholli e bëri pas leximit të aktakuzës nga prokurori special, Bekim Kodraliu, raporton “Betimi për Drejtësi“, transmeton Klankosova.tv.

Pas deklarimit të të akuzuarit Sheholli, kryetari i trupit gjykues Avni Syla njoftoi atë dhe mbrojtësin e tij- avokatin Mentor Neziri se brenda 30 ditësh mund të paraqesin kërkesë për kundërshtim të provave dhe hudhje të aktakuzës.

Por, avokati Neziri deklaroi se në pajtim me klientin e tij, heqin dorë nga e drejta për kërkesë për hudhje të aktakuzës, duke marrë parasysh faktin se Sheholli ndodhet në paraburgim dhe ka shumë prova personale që do të administrohen.

“Gjykatës i propozojmë që të aprovojë kërkesën tonë dhe të vazhdojmë menjëherë me shqyrtim gjyqësor sa më shpejtë që Gjykata ka mundësi, të fillojë me shqyrtim gjyqësor”, tha avokati.