Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza, ka deklaruar sot se PDK-ja nuk do të pranojë vazhdimin e shkeljeve kushtetuese dhe se, nga sot, do të hyjë në një fazë tjetër të veprimit politik, institucional dhe juridik për rikthimin e ligjshmërisë dhe rendit kushtetues në vend.

Në sallën e Kuvendit, Hamza tha se për javë të tëra deputetët e PDK-së kanë kërkuar vazhdimin e seancës konstituive, respektimin e Kushtetutës, vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit.

 “Për javë të tëra, deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës kanë kërkuar atë që nuk do të duhej të kërkohej fare në një shtet demokratik: që të respektohet Kushtetuta, të respektohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe t’u mundësohet deputetëve të zgjedhur nga qytetarët që ta ushtrojnë mandatin e tyre”, tha Hamza.