Sali Berishës i është hequr zyrtarisht statusi “non grata” nga Shtetet e Bashkuara, sipas informacioneve të publikuara nga Lapsi.al dhe burimeve pranë Partisë Demokratike.

Sipas raportimit, vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit i është komunikuar kreut të opozitës gjatë një bisede telefonike rreth 15-minutëshe nga e ngarkuara me punë e SHBA-së në Tiranë, Nancy VanHorn.

Berisha dhe familja e tij u shpallën “non grata” në maj të vitit 2021 nga ish-Sekretari i Shtetit, Antony Blinken. Në vendimin e tij, Blinken deklaronte se veprimet e Berishës “minojnë demokracinë në Shqipëri” dhe lidhen me “përfshirjen në korrupsion domethënës”.

Ky vendim pati shkaktuar një nga përplasjet më të ashpra politike në Shqipëri, duke trazuar edhe zhvillimet e brendshme të Partisë Demokratike.

Në maj të vitit 2025, u raportua se Departamenti i Shtetit kishte lehtësuar kufizimet ndaj Berishës. Një zëdhënës amerikan pati deklaruar se, “ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare”.

Më tej, ai shtonte se, “ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it”.

Kundërshtarët e Berishës e konsideronin si përjashtim procedural, ndërsa mbështetësit e tij argumentoni se sanksionimi po binte.

Në qendër të polemikave gjatë kësaj periudhe ishte edhe ish-ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, e cila mbrojti publikisht vendimin e vitit 2021.

Ajo deklaroi se shpallja e Berishës nuk ishte vendim i një individi, por rezultat i një procesi shumëvjeçar ku përfshiheshin institucione amerikane.

“Kur Sekretari Amerikan i Shtetit shpall dikë për ‘korrupsion domethënës’, vendimi kalon nëpër një proces shumë rigoroz shqyrtimi”, kishte deklaruar Kim.

Në një tjetër reagim, ajo shtonte se “ata që thonë se janë të habitur nuk po tregohen të sinqertë”, duke mbrojtur bazën e vendimit amerikan.