Një person ka mbetur i vdekur dhe një tjetër është lënduar si pasojë e një sulmi me thikë që ndodhi mbrëmjen e së martës në Mitrovicën e Jugut, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, rasti është raportuar më 27 maj 2026, rreth orës 22:00, pasi në Spitalin Rajonal në Mitrovicë ishte dërguar një person i lënduar nga mjet i mprehtë.

Mjeku kujdestar ka konfirmuar se viktima, mashkull 37-vjeçar, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë.

Në të njëjtin incident është lënduar edhe një person tjetër, i cili fillimisht ka marrë trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Mitrovicë, e më pas është transferuar në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës për trajtim të mëtejmë. Sipas stafit mjekësor, gjendja e tij shëndetësore është jashtë rrezikut për jetën.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin

Me urdhër të prokurorit për krime të rënda, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

Policia ka bërë të ditur se i dyshuari, mashkull 31-vjeçar, është arrestuar, ndërsa është sekuestruar edhe thika me të cilën dyshohet se është kryer vepra penale.

Me vendim të prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë duke vazhduar.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!