Fatos Qerimi, ish-Drejtor i Autoritetit të Pellgjeve Lumore që funksionon në kuadër të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor në krye me Fitore Pacollin, ka dorëzuar sot ankesë zyrtare në zyrtare në Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës kundër, siç ka thënë, “vendimit të kundërligjshëm” për transferimin e tij nga kjo pozitë.
Sipas tij, vendimi është marrë pa asnjë bazë ligjore, pa arsyetim profesional dhe në kundërshtim me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative dhe Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Ai ka pretenduar se këto veprime janë rezultat i ndërhyrjeve politike.
“Njëkohësisht është kërkuar zbatimi i efektit pezullues të ankesës sipas nenit 130 të Ligjit Nr.05/L-031, që nënkupton se vendimi nuk mund të prodhojë pasoja juridike deri në vendimin përfundimtar të KPMSHCK-së”, ka shkruar Qerimaj.
Qerimaj ka shtuar se në ankesë ka evidentuar shkelje serioze procedural dhe materiale ligjore.
“Konsideroj se këto veprime janë rezultat i ndërhyrjeve politike dhe përpjekjeve për të larguar profesionistët që mbrojnë ligjshmërinë dhe interesin publik. Nuk do të hesht përballë padrejtësive dhe presioneve! Askush mbi ligjin!”, thuhet në postimin e tij, krahas ankesës.
Qerimi dje njoftoi se më 6 maj kishte pranuar përmes emailit një vendim për transferimin e tij në një pozitë tjetër, për të cilin thotë se bie ndesh me Ligjin për Zyrtarët Publikë.
Sipas tij, neni 65, paragrafi 4 i këtij ligji përcakton se transferimi i përhershëm i një zyrtari publik nuk mund të realizohet pa pëlqimin paraprak të zyrtarit, gjë që, sipas Qerimajt, nuk ka ndodhur në rastin e tij.
Ai kërkoi nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të nisë hetime ndaj ministres dhe personave të tjerë të përfshirë në këtë proces, duke pretenduar se janë cenuar parimet e ligjshmërisë dhe profesionalizmit në administratën publike















