Katër zyrtarë policor tashmë janë duke u intervistuar nga hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Policët Alfred Ismajli, Artan Shala dhe Bion Beqiri janë tre prej zyrtarëve të Policisë që janë duke u intervistuar, raporton KALLXO.com, transmeton Periskopi.

Siç deri më tani ende nuk ka vendim për ndalimin e policëve por të njëjtit aktualisht janë duke u intervistuar.

Prokuroria e Prishtinës njoftoi sot se shtatë persona janë arrestuar për keqpërdorim i detyrës zyrtare, shkelje e fshehtësisë së procedurës, marrje e deklaratave me anë të shtrëngimit, keqpërdorim i informatës zyrtarë, mashtrim, legalizim i përmbajtjes së rreme, marrje ryshfeti, dhënie ryshfeti, këto janë veprat penale që po dyshohet se kanë kryer disa zyrtarë policor bashkë me dy qytetarë e që KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për disa prona.

Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim edhe me Prokurorinë Themelore në Prishtinë, dhe Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, gjatë ditës së sotme po zhvillon një aksion në Prishtinë, Fushë Kosovë dhe Obiliq.

Në bazë të njoftimit të prokurorisë, aksionet janë zhvilluar të ndara dhe janë arrestuar 7 persona, pesë persona zyrtarë dhe dy qytetarë.

Nga pesë zyrtarët e arrestuar katër janë policë.

Të arrestuarit sipas prokurorisë po dyshohen për përfshirje në veprimtari kriminale që lidhen me disa vepra penale, përfshirë: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit”, ‘’Shkelja e fshehtësisë së procedurës’’, ‘’Marrja e deklaratave me anë të shtrëngimit’’, ‘’Keqpërdorimi i informatës zyrtare’’, “Mashtrimi’’, “Legalizimi i përmbajtjes së rreme’’, ‘’Marrja e ryshfetit’’ dhe ‘’Dhënia e ryshfetit’’.

Prokuroria ka njoftuar se sipas dyshimeve fillestare dhe veprimeve hetimore të ndërmarra deri në këtë fazë të hetimeve, të dyshuarit në bashkëveprim, dyshohen se janë përfshirë në aktivitete kriminale që lidhen me përfitime të kundërligjshme pasurore, përmes falsifikimit të dokumenteve pronësore dhe ndryshimit të paligjshëm të pronarëve të tyre.

Po ashtu, pesë zyrtarët dyshohen se kanë keqpërdorur pozitën dhe autorizimet zyrtare, duke tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të mundësimit të përfitimeve të kundërligjshme pasurore