Federata Sindikale e Punëtorëve të Sektorit Privat, në shënim të Ditës Ndërkombëtare të Punëtorëve ka protestuar në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.
Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Punëtorit. E derisa në sektorin publik sot është ditë pushimi, në sektorin privat puna vazhdon normalisht.
E në lidhje me parregullsitë në sektorin privat një numër i madh i qytetarëve sot dolën për të protestuar.
Në pankartat e shumta që mbanin në dorë punëtorët kanë njoftuar për mos-respektimin e të drejtave të tyre në vendet e punës, duke kërkuar nga Qeveria që të merret me këto probleme,.
“Për 5 vite në punë vdiqën 97 punëtorë”, “Jemi lodhë”,” Parlament, Qeveri të kujt jeni?”.
“Mos na shkelni, mos na vononi jetën”, janë disa nga pankartat me mesazhe të kësaj proteste.


Ministri për Punë, Andin Hoti, më 13 prill mori vendim për aksion të jashtëzakonshëm të inspektimeve në vend punishte.
Në 17 vendpunishte janë ndaluar punimet me vendim të Inspektoratit Qendror të Punës.
Në rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës deri më tani janë shqiptuar dënime minimale.
Bazuar në aktgjykime të publikuara në faqen e Këshillit Gjyqësor, për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, kryesisht janë shqiptuar gjoba. Dënimet të tilla janë dhënë, pavarësisht se Kodi Penal parasheh që në rastet me lëndim të rëndë trupor, dënimi të jetë në shkallën deri në 10 vjet burgim dhe nuk lë alternativë për gjobë.

Gjatë katër muajve të parë të vitit, janë regjistruar gjithsej 11 raste të vdekjeve në vendin e punës, një tregues shqetësues për kushtet e sigurisë në sektorë të ndryshëm.














