Vehbi Miftari ka konfirmuar se ka pranuar dekretetin e U.D. e Presidentes, Albulena Haxhiu për lirim nga detyra si ambasador i Misionit të Posaçëm në Vatikan.
Përmes një postimi në Facebook, Miftari ka shkruar se këto dy vite kanë qenë plot sfida e angazhime.
“Ju njoftoj se këto ditë kam pranuar dekretin e U.D. Presidentes Haxhiu për lirim nga detyra e shefit të Misionit në Selinë e Shenjtë. Ky dekret shënon përfundimin e mandatit tim në Vatikan. Sigurisht, jo angazhimin tim për Republikën, së cilës i kam shërbyer çdo herë me përkushtim, pa kërkuar kurrë shpagim. Ka qenë nderi jetësor që më është bërë, duke qenë i pari shef i Misionit në Vatikan”.
“Sot, kthehem i lumtur që jo vetëm misioni, por edhe marrëdhëniet janë të konsoliduara plotësisht. Falënderoj Presidenten Osmani për besimin, secilin prej jush për përkrahjen dhe Selinë e Shenjtë për dashurinë me të cilën më mirëpriti e më ofroi bashkëpunim.
Kanë qenë dy vjet plot angazhim e sfida të njëpasnjëshme, ndonjëherë të pakuptimta, me më shumë a më pak përkrahje, por të bukura e frytdhënëse, gjithsesi.
Tani kur po përgatitem t’ia dorëzoj detyrën pasardhësit a pasardhëses sime, ofroj gjithë gatishmërinë time që, në përputhje me dinjitetin tim e me lartësinë e pozitës që kam mbajtur, të siguroj që vendimet tona të mos lëndojnë raportet e krijuara me aq mund”, ka shkruar Miftari në Facebook.
Vehbi Miftari u emërua ambasador në Vatikan në fund të janarit të vitit 2024.















