Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar rreth ekspozitës me përmbajtje të pasaktë për masakrat në Kosovë e cila u hap në qendër të Prishtinës nga 24 marsi.Veteranët në reagim kërkojnë distancim zyrtar të menjëhershëm nga përmbajtja e asaj ‘ekspozite’, si dhe llogaridhënie institucionale.

“Kundërshtojmë me forcë ekspozitën e vendosur në qendër të Prishtinës.Nën maskën e kujtesës, ky instalacion shtrembëron të vërtetën e Luftës Çlirimtare duke fyer gjakun e derdhur për liri. Paraqitja e viktimave civile si “persona të armatosur”, pikërisht në përvjetorin e bombardimeve të NATO-s, përbën një akt të poshtër moral. Një qasje e tillë është e papranueshme”.

Përgjegjësia bie drejtpërdrejt mbi autorët e këtij shtrembërimi dhe mbështetësit e tyre politikë. Sidoqoftë, faji rëndon edhe mbi çdo institucion që shpenzoi para publike për të legjitimuar këtë turp. Financimi i kësaj përmbajtjeje nga Kuvendi i Kosovës përbën skandal të pafalshëm. Përmes tij goditet e vërteta historike dhe poshtërohet dinjiteti i luftës sonë”, thuhet në reagim.