Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar autorizim për Policinë e Kosovës që të ndërmarrë veprime shtesë hetimore lidhur me rastin e keqtrajtimit të një fëmije 5-vjeçar në komunën e Lipjanit.

Sipas njoftimit, qëllimi i këtij autorizimi është ndërmarrja e hapave të nevojshëm për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit, si dhe për të identifikuar përgjegjësinë eventuale të zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan apo të zyrtarëve të tjerë kompetentë komunalë.

“Hetimet synojnë të përcaktojnë nëse ka pasur kontribut të drejtpërdrejtë apo të tërthortë në shkaktimin e pasojave në këtë rast”, thuhet në këtë njoftim transmeton Klankosova.tv.

“Prokurori i shtetit ka theksuar përkushtimin për ndjekjen e të gjithë personave të dyshuar për vepra penale dhe për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në veçanti, vëmendje e shtuar po i kushtohet rasteve që lidhen me mbrojtjen e fëmijëve, duke pasur parasysh ndjeshmërinë e kësaj kategorie në shoqëri”.

“Autoritetet kanë bërë të ditur se hetimet janë në zhvillim dhe se publiku do të informohet për hapat e mëtejmë”, përfundon njoftimi i Prokurorisë Themelore të Prishtinës