Zoran Kostiq është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte në Vushtrri ndërsa Dragan Miloviq me 7 vjet për të njëjtën vepër.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 maj 2024, i akuzuari Zoran Kostiq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në bashkëkryerje me pjesëtarë tjerë të policisë, ushtrisë dhe paramilitarë serbë, i veshur me uniformë të policisë dhe i armatosur, me vetëdije dhe qëllim, duke vepruar sipas planit dhe urdhrave të eprorëve të tij, ka marrë pjesë direkt në sulmin kundër popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar, konkretisht familjes Ujkani gjatë një aksioni të mirë-organizuar, pasi që forcat serbe ishin vendosur në shtëpinë e Sh.Z, të cilën policia dhe ushtria serbe e ka shfrytëzuar si shtab, ditën kritike në ofensivën e ushtrisë serbe kundër popullatës civile.
I akuzuari Dragan Miloviq gjatë kohës së luftës në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore serbe, në periudhën e luftës në Kosovë, bashkë me të tjerë me forcë i kanë dërguar diku 20 mijë banorë civilë të Vushtrrisë te varrezat e qytetit dhe aty të akuzuarit kanë maltretuar, rrahur e torturuar civilë, të cilët gjendeshin të grumbulluar te varrezat e qytetit, ku në mesin e tyre ishte edhe K.Sh., i cili e njihte tani të akuzuarin Miloviq dhe e lut të akuzuarin që ta shpëtojë, por i njëjti i thotë “s’kam ca me të ba”.














