Prokuroria Themelore në Prishtinë në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë zhvilluar të mërkurën aksion në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës, e cila vepron në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.  

Sipas njoftimit, bastisja është kryer nën dyshimin për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” si dhe veprën penale ‘’Rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera lidhur me bastisjet, derisa ka paralajmëruar se për zhvillimet e mëtejme do të ketë njoftime të tjera.

“Aksioni është ende në zhvillim e sipër, ndërsa Prokuroria Themelore në Prishtinë është duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore në funksion të zbardhjes së plotë të rastit. Lidhur me zhvillimet e mëtejme, do të njoftoheni në vazhdimësi”, përfundon komunikata.