Një konflikt mes dy grupeve personash ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri, ku situata ka eskaluar deri në përdorim të armës dhe përleshje fizike.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:30, kur fillimisht ka pasur përplasje verbale mes dy grupeve, e cila më pas ka kaluar në konflikt fizik.
Gjatë përplasjes, njëri nga personat e përfshirë dyshohet se ka nxjerrë një armë zjarri dhe e ka drejtuar në drejtim të grupit tjetër, duke rritur rrezikun e incidentit.
Konflikti është ndërprerë vetëm pasi disa kalimtarë të rastit kanë ndërhyrë dhe kanë ndarë palët.
Pas pranimit të informatës, njësitë policore kanë lokalizuar personat e përfshirë në rrahje dhe kanë konfiskuar një armë të tipit “BLOW Magnum” me një karikator dhe tetë fishekë me gaz, e dyshuar se i përkiste D.A., 20 vjeç.
Në incident janë përfshirë edhe disa të mitur: A.Sh., 21 vjeç, Xh.H., 13 vjeç, si dhe dy të tjerë B.S., 17 vjeç dhe A.B., 16 vjeç.
Të gjithë personat e përfshirë janë shoqëruar në Stacionin Policor në Vushtrri, ndërsa dy prej tyre kanë kërkuar trajtim mjekësor dhe posedojnë raporte mjekësore.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit kujdestar, dy të dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa ndaj D.A. është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë nën dyshimin për veprat penale “Posedim i paautorizuar i armës”, “Sulm” dhe “Lëndim i lehtë trupor”.
Për shkak të moshës së mitur, dy nga personat e përfshirë pritet të intervistohen në ditët në vijim, ndërsa rasti mbetet nën hetime.














