Kryeministri Albin Kurti ka thënë se është e domosdoshme arritja e një marrëveshje me partitë opozitare për çështjen e presidentit, në rast se Gjykata Kushtetuse nuk i jep dritën e gjelbër dekretit të presidentes në largim për shpërndarjen e Kuvendit.

Ndonëse Kuvendi është shpërndarë me dekret të presidentes dhe rasti tashmë po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese, shefi i qeverisë tha se zgjedhjet duhet të shmangen.

Ai insistoi që të arrihet marrëveshje me partitë opozitare për të zgjedhur presidentin e ardhshëm.

“Unë nuk kam se çfarë të shtoj prej konferencës për media që e kam pasur para nje jave. Presidentja është kreu i shtetit, ku unë jam kryeministri i vendit dhe besoj që kemi një çështje që tash ndodhet në Gjykatën Kushtetuese e theksi unë besoj që duhet të vihet te ajo që vitin e kaluar kemi pasur katër pale zgjedhje dhe ky vit i ri nuk është as e drejtë as e dobishme që të kemi zgjedhje të përsëritura”, u shpreh ai.

“Prandaj është e domosodoshme që të kemi marrëveshje me partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit dhe qytetarët e Republikës presin prej nesh stabilitet institucional e jo zgjedhje të reja të përsëritura”, tha Kurti.

Derisa fliste për zgjedhjet e organizuara radhazi vitin e kaluar, në nivel lokal e qëndror, kryeministri përmendi sërish shumën prej 10 milionë eurove, që sipas tij vlerësohet kostoja e organizimit të zgjedhjeve potenciale të reja.