Kanë mbetur vetëm tetë ditë nga afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, ndërsa skena politike vazhdon të jetë në paqartësi. Tri partitë më të mëdha në vend ende nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për një emër të përbashkët, pavarësisht takimeve të zhvilluara mes tyre.

Presidentja aktuale, Vjosa Osmani, ka shprehur ambicien për një mandat të dytë, por deri më tani nuk ka asnjë përgjigje nëse se ajo i ka siguruar 30 nënshkrimet e nevojshme për t’u rikandiduar.

Heshtja nga kabineti i saj shton dyshimet se ajo nuk po arrin t’i siguroj as këto 30 nënshkrime.

Gazeta Insajderi ka pyetur këshilltarin e presidentes, Bekim Kupina, nëse Osmani i ka siguruar nënshkrimet e nevojshme për rikandidim, por nga Presidenca nuk ka ardhur asnjë përgjigje.

Ndërkohë, Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë në fazën e diskutimeve për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, përmes një marrëveshjeje politike apo konsensusit ndërpartiak.

Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar takim me liderët opozitarë, Bedri Hamza dhe Lumir Abdixhiku, por nuk e ka propozuar emrin e Vjosa Osmanit si kandidate të Vetëvendosjes.

Madje, ai ka deklaruar se partia e tij nuk ka asnjë emër për kandidat, të paktën deri më tani. Ky është një sinjal i qartë se Osmani nuk e ka mbështetjen e Albin Kurtit.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, presidenti duhet të zgjidhet jo më vonë se 30 ditë para përfundimit të mandatit aktual. Vjosa Osmani është zgjedhur presidente më 5 prill 2021 dhe mandati i saj përfundon në prill të këtij viti.