Në sallën e gjyqit, nën masa të rrepta sigurie dhe me pranga në duar, janë futur tre të akuzuarit, Naim Murseli, bashkëshorti i viktimës dhe i dyshuar për organizimin e vrasjes, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla, të dyshuar për përfshirje në këtë krim.
Seanca po mbahet në Gjykatën Themelore në Prishtinë , nga ora 09:30, raporton Klankosova.tv.
Seanca është e para e vitit 2026, që i prin ciklit të seancave të mëparshme, e që në atë të fundit u paraqitën video-incizime që, sipas prokurorisë, tregojnë takimet dhe lëvizjet e të akuzuarve para ngjarjes.
Mes pamjeve të prezantuara ishin edhe momente nga darka e Liridonës me familjen, si dhe lëvizje që ndërlidhen me të akuzuarin Granit Plava.
Sipas aktakuzës, vrasja dyshohet të ketë qenë e planifikuar.
Prokuroria tha se ekzistonte marrëveshje që krimi të kryhej nga Granit Plava në këmbim të 30 mijë eurove, ndërsa arma dyshohet se ishte siguruar nga Naim Murseli përmes Kushtrim Kokallës.















