Policia e Kosovës ka gjetur dhe sekuestruar një sasi të konsiderueshme armësh, municioni dhe granata dore gjatë një aksioni të zhvilluar sot në fshatin Joshevik të komunës së Zveçanit.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 09:20, njësitë policore kanë vepruar pas pranimit të informatave përmes rrugëve operative, duke kryer kontroll në një shtëpi të braktisur, ku janë gjetur dhe konfiskuar: një armë automatike AK-47, një pushkë gjysmë automatike dy tytëshe, 10 karikatorë të zbrazët, gjashtë karikatorë të mbushur me nga 30 fishekë, 84 fishekë për pushkë automatike, 14 fishekë për pushkë gjysmë automatike, një rrip për fishekë, dy granata dore M50, si dhe pajisje për pastrimin e armëve.

Policia ka bërë të ditur gjithashtu se, lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e procedurës penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”. Deri në këtë fazë të hetimeve, nuk është arrestuar asnjë person. Në fund, Policia e Kosovës ka falënderuar qytetarët për bashkëpunimin dhe ndihmën e vazhdueshme, duke i inkurajuar ata që çdo rast të dyshimtë apo veprim të kundërligjshëm ta raportojnë në numrin emergjent 192 ose në stacionin më të afërt policor, me qëllim të rritjes së sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët.