Dhomat e Specializuara të Kosovës e kanë konfirmuar raportimin e Nacionales, se po mbajnë ligjërata me nxënës në Kosovë.
Lajmin e ka bërë të ditur zyra për media e Gjykatës Speciale.
Zëdhënësja Angela Griep ka thënë për Nacionalen se në këto ligjërata po diskutojnë për mandatin dhe procedurat e Gjykatës Speciale.
“Po, ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje.
“Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet më tutje.

Dhomat e Specializuara të Hagës kanë nisur një seri të ligjërata e komunikimeve. Pas mediave, shoqërisë civile e fakulteteve juridike, tash në subjekt janë nxënësit e shkollave të mesme.
Një të tillë Gjykata Speciale e ka mbajtur së fundmi me nxënësit e shkollës “Xhevdet Doda” në Prishtinë.
Kjo dëshmohet nga një fotografi të cilën e ka pranuar gazeta Nacionale, nga një prej nxënësve pjesëmarrës.
Aty, prej nxënësve kërkohet vlerësimi i ligjëratës.Pyetjet janë të tipit nëse ngjarja ishte e organizuar mirë, nëse kishte mjaftueshëm informata për Gjykatën Speciale, nëse informacionet kanë qenë të kuptueshme dhe pyetje të ngjashme.
Në një prej këtyre vlerësimeve, nxënësit kanë shprehur pakënaqësi lidhur me përgjigjet që kanë marrë ky trajnim.
Në fund, tek komentet njëri prej nxënësve ka kërkuar lirimin e Hashim Thaçit.
Nacionale ka kontaktuar me drejtorin e shkollës Xhevdet Doda, Isak Bregaj. Megjithatë, ai ka thënë se ligjërata ka qenë nga një organizatë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, e ku në mesin e shumë temave për Gjykatat, kanë folur edhe për Gjykatën Speciale.














