Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Fetah Paçarizi, ka pohuar se nuk ka pasur ndikim në keqpërdorim dhe manipulim në procesin e numërimit të votave.

Ai kërkoi që të shkohet në proces të plotë të rinumërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Paçarizi rezulton me pesë mijë vota më pak pasi janë rinumëruar votat nga KQZ-ja.

“Të nderuar qytetarë, përfaqësues të mediave dhe organe të drejtësisë, ajo që po ndodh gjatë procesit të rinumërimit të votave nga KQZ është serioze dhe shqetësuese. Kjo situatë ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e numërimit dhe rinumërimit dhe cenon drejtpërdrejt besimin e qytetarëve në procesin zgjedhor”, ka shkruar ai në Facebook.

Për këto arsye, konsideroj se është i domosdoshëm rinumërimi i plotë i votave në të gjithë vendin, përfshirë edhe votat e diasporës, në mënyrë që të garantohet transparenca, barazia dhe respektimi i vullnetit real të qytetarëve”.

“Dua të sqaroj qartë se jam i kyçur rishtas në politikë dhe nuk kam mbajtur asnjëherë poste apo përgjegjësi politike. Nuk kam dhe nuk kam pasur asnjë ndikim në këtë proces dhe distancohem plotësisht nga çdo keqpërdorim apo manipulim që mund të jetë bërë në emrin tim ose në dëm të votës së lirë”.

Paçarizi tha se KQZ-ja duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj.

“Prokuroria e Shtetit ka detyrim ligjor dhe moral të nisë hetime të plota, të pavarura dhe profesionale. Njëkohësisht, KQZ, si organ i pavarur kushtetues, duhet të japë llogari publike dhe të ofrojë prova të qarta për ligjshmërinë dhe korrektësinë e veprimeve të saj. Pavarësia institucionale nuk nënkupton mungesë përgjegjësie”.

“Kërkoj transparencë, hetim dhe përgjegjësi. Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore”.