Dy dronë kanë shkelur hapësirën ajrore të vendit.

Sipas informacioneve që ka Paparaci, të njëjtët vijnë prej territorit të Serbisë në zonën kufitare të Muqivërcës.

Burime të Paparaci nga institucionet e sigurisë, tregojnë se dronët kanë hyrë në territorin e Kosovës rreth orës 19:30-19:45 të natës së sontme pranë fshatit Novosellë të Kamenicës.

Po ashtu, bëhet e ditur se për rreth 30 minuta, dronët kanë qëndruar statikë edhe afër stacionit policor të Breznicës.

Burimet gjithashtu bëjnë me dije që është njoftuar edhe misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR-i, të cilët kanë konfirmuar se dronët nuk u përkasin atyre.

Shkeljen e hapësirës ajrore të Kosovës nga Serbia përmes dronëve e kishte konfirmuar në shtator të 2025 edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“Shiheni, në vazhdimësi ne kërcënohemi nga Serbia. Kohët e fundit po besoj që tashmë e dini që ka një lëvizje të paautorizuar apo shkeljes së hapësirës sonë ajrore përmes dronëve të cilët kohë pas kohe qarkullojnë apo shkelin hapësirën tonë ajrore”, kishte deklaruar ai.