Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, ka filluar numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit jashtë Kosovës, respektivisht numërimi i fletëvotimeve që i takojnë votimit në përfaqësi diplomatike.
Kështu ka deklaruar për Klankosova.tv zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi.
“Nga votimi me postë, siç e kemi treguar më herët, numri i shtetasve të regjistruar ka qenë rreth 58 mijë. Ende nuk është përmbyllur procesi i tërheqjes së fletëvotimeve nga kutitë postare, andaj në këtë fazë nuk e dimë se sa prej këtyre votuesve të regjistruar kanë ushtruar të drejtën e votës. Tërheqjet e fundit të zarfeve me fletëvotime do të bëhen më 2 dhe 5 janar 2026”, tha Elezi.
“Deri më tani, nga dy kutitë postare, Berlin dhe Bernë, janë tërhequr më shumë se 28 mijë e 500 pako me fletëvotime që i takojnë votimit përmes postës dhe të cilat janë vlerësuar dhe verifikuar nga shërbimi votues i KQZ-së”, theksoi ai.
Elezi shtoi se “nga numri i përgjithshëm i pakove me fletëvotime të supozuara që deri më tani kemi pranuar, pra nga më shumë se 28 mijë, pas vlerësimit dhe verifikimit janë aprovuar 27,600, ndërkaq janë refuzuar më shumë se 950. Arsyeja më e shprehur te zaret e refuzuara është sepse në pakon me fletëvotim mungon dëftesa e regjistrimit të votuesit”.















