Dëshmitari i 62-të i Prokurorisë, i cili dëshmoi me masa mbrojtëse në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit ka thënë në Hagë se i vjen keq që të katër të akuzuarit ndodhen aty dhe se ai nuk ka asgjë me ata.

“S’di pse po zgjatni pyetjen. Ma bëri pyetjen ai tjetri. Unë me Kadri Veselin nuk kam kurrgjë. E respektoj. Kam respekt për të. Më vjen keq që ndodhet aty.. Ky s’ka bë kurrgjë. Po i bini shkurt. Nuk kam të bëj kurrgjë as me Kadri Veselin, as me Hashim Thaçin, as me Jakup Krasniqin, as me Rexhep Selimin. Unë kam të bëj [Redaktuar]. Edhe këta [redaktuar] t’i pyesësh e gjykojnë”, kishte thënë ky dëshmitar, dëshmia e të cilit u bë publike me disa pjesë që janë konsiderueshëm të redaktuara.

Dëshmitari ka thënë se e di se ka qenë Krasniqi zëdhënës i UÇK-së, por që nuk e ka takuar asnjëherë gjatë luftës.

Ndryshe, gjatë seancës në të cilën dëshmoi ky dëshmitar, u tha se ai u arrestua dhe u keqtrajtua nga anëtarët e UÇK-së për një periudhë trejavore, e që si pasojë e keqtrajtimit pati edhe lëndime serioze.