Në aktakuzën që ngriti Prokuroria Speciale e Kosovës për rezervat shtetërore është sqaruar edhe mënyra e deponimit të grurit, si produkt i rezervës shtetërore.

Në dosjen që e ka siguruar Paparaci është edhe dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur i cili ka thënë se Ridvan Muharremi i kishte treguar për deponimin e grurit.

Dëshmitari ka treguar se njihej me Ridvan Muharremin për shkak se ia furnizonte me miell nga mulliri i tij, biznesin “Bukë e Zemër”.

Sipas aktakuzës, dëshmitari është pyetur nga Muharremi nëse ka vend në mullirin e tij, për të deponuar grurin e rezervave shtetërore dhe se i ishte përgjigjur duke i thënë se do të bisedojë me babain e tij dhe se nëse do ketë vend do ta njoftonte.

Pas bisedës me babain e tij, dëshmitari i mbrojtur e kishte njoftuar Muharremin se kishin vend për deponimin e grurit, porse sa ton, kjo pjesë është e redaktuar në aktakuzë.

“Pas kësaj bisede diku 10 ditë përafërsisht ishte koha kur kishin shkuar zyrtar prej ministrisë të cilët kishin biseduar me babain e dëshmitarit, ku kishin shikuar se a plotësohen kushtet për deponimin e grurit dhe më pas ishte bërë marrëveshja me datë [REDAKTUAR] për deponimin e grurit në emër të rezervave shtetërore”, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.

Dëshmitari ka treguar se personat të cilët kishin vlerësuar kushtet për deponimin e grurit, kishin qenë Hafiz Gara, një person me emrin Ekrem dhe dy persona të tjerë, emrat e të cilëve nuk i kujtohen.

“I njëjti ka sqaruar se që nga deponimi i grurit nuk kishte pasur më kontakt me personin Ridvan Muharremi”, thotë aktakuza.