Pesë raste të dhunës në familje janë raportuar të dielën në Lipjan, Prishtinë, Obiliq, Rahovec dhe Gjakovë. Lidhur me këto raste u arrestuan gjashtë persona, prej tyre katër u dërguan në mbajtje, kurse dy u liruan në procedurë të rregullt

Sipas raportit 24 orësh të Policisë, në Lipjan u arrestua një person nën dyshimin se ushtroi dhunë psikike ndaj një gruaje, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Lipjan / 02.11.2025 – 08:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë psiqike ndaj viktimës femër kosovare. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Edhe në Prishtinë, një person u arrestua nën dyshimin se sulmoi fizikisht një grua.

“Prishtinë / 02.11.2025 – 12:00. Është raportuar se ankuesja femër kosovare është sulmuar fizikisht nga i dyshuari mashkull kosovar. Viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, njofton Policia.

Ndërkaq, në Obiliq u arrestuan dy të dyshuar nën dyshimin se sulmuan një grua.

“Obiliq / 02.11.2025 – 10:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj kosovarë për shkak të dyshimit se kanë ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor dhe është strehuar tek familja e saj. Të dyshuarit pas intervistimit në konsultim me prokurorin janë liruar në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Në anën tjetër, në Rahovec u arrestua një person nën dyshimin se ushtroi dhunë fizike ndaj një gruaje.

“Rahovec / 01.11.2025 – 02:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar nën dyshimin se i njëjti ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës femër kosovare. Viktimës i është ofruar tretman mjekësor në QKMF-Rahovec dhe pastaj e njëjta me vullnetin e saj ka shkuar tek familja e saj. I dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Kurse, në Gjakovë u arrestua një burrë nën dyshimin se ushtroi dhunë ndaj një gruaje.

“Gjakovë / 02.11.2025 – 16:00. Është arrestuar i dyshuari kosovar i cili pas një mosmarrëveshje e kishte kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare. Viktima ka pranuar tretman mjekësor, dhe pas intervistimit ka shkuar në shtëpinë e familjes së saj dhe ka kërkuar urdhër mbrojtës. I dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim