Këngëtarja e njohur Elsa Lila, e rikthyer fuqishëm në skenë pas 25 vitesh me triumfin në Festivalin e Këngës, ka bërë deklarata të forta lidhur me garën dhe mënyrën si u zgjodh përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurovision.
E ftuar në emisionin “Mirëmbrëma Yje”, ajo ka hedhur dyshime të drejtpërdrejta ndaj procesit të votimit, duke insinuar se Albina Kelmendi, rivalja e saj në garë dhe dikur pjesë e skuadrës së saj në The Voice of Albania më 2014, ka përfituar nga blerja e votave të publikut.
Elsa kujtoi se ndonëse juria e vlerësoi me çmimin e parë, publiku zgjodhi Albinën dhe familjen Kelmendi për të përfaqësuar Shqipërinë në Eurovision. Por sipas saj, ky rezultat nuk përputhet me realitetin.
“Ju mendoni që m’u dha haku që meritoja? Mendoj që jo, ç’publik?”, deklaroi ajo.
Artistja shtoi se “provat janë të shumta”, duke theksuar se ka indicie të qarta se “votat janë blerë nga publiku. Pafund”.
Ajo madje u shpreh se kishte mundësi ta çonte çështjen në gjykatë, duke nënkuptuar se familjarët e saj kanë profesionin e avokatit: “Atë çështje do e kisha çuar shumë larg, por nuk e bëra. Jam mësuar të mos merrem me polemika, por me talentin tim. Nuk desha t’i jepja skandalit edhe më shumë famë”.















