Albin Kurti nuk iu ishte bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me arsyetimin se nuk është mirë me shëndet dhe se nuk e përballon jetën e malit, ka thënë ish-kreu i Shërbimit Informativ të Shqipërisë (SHISH), Fatos Klosi, në një intervistë për televizionin shqiptar “Top Neës”.
“(Kurti) u justifikua që nuk jam mirë me shëndet dhe unë nuk e përballoj dot jetën e malit dhe u tërhoq”, deklaroi Klosi.
Ish-kreu i SHISH-it, konsideron se që nga atëherë Kurti “e ka ndjerë veten të mangët në aktivitetin e tij se pse nuk mori pjesë [në UÇK]”.
“Ai nuk mori pjesë në çlirimin e Kosovës që ishte fenomeni më i madh në historinë e kombit shqiptar, në shekujt e fundit po themi”, shtoi ai.
Në vlerësimin e tij, Kurti “është në armiqësi të hapur me historinë e UÇK-së”.
“Ka qenë vetë pjesëtar në fillimet e Demaçit, asistent i të cilit ka qenë Kurti, ka qenë zëdhënësi politik i UÇK-së [Demaçi]”, theksoi ai, derisa shtoi se “pas Rambujesë, ai nuk ra dakord në mënyrën se si u trajtua, ai iku, iku edhe ky”.
Sipas tij, Kurtit iu ishin lutur që të “që ta ndihmonin në qoftë se donte të merrte pjesë të dilte në mal”, dhe në këto momente moderatorja ndërhyri duke thënë se Kurti “aso kohe ka qenë shumë i ri.
Por, Klosi ia rikujtoi se pjesa dërrmuese e ushtarëve të UÇK-së ishin të rinj dhe se Kurti “nuk ishte aq i ri ky në krahasim me të tjerët”.















