Një tjetër qytetar amerikan do të ulet sot në bankën e dëshmitarëve në Hagë, në anën e mbrojtjes së ish-presidentit Hashim Thaçi.

Bëhet fjalë për një diplomat amerikan që ka shërbyer në pozita të larta brenda UNMIK-ut gjatë viteve 1999–2001. Dëshmia e tij pritet të zgjasë dy ditë.

Pas kësaj, Gjykata do të marrë një pushim trejavor dhe më pas do të rifillojë seancat nga mesi i nëntorit me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë të mbrojtjes. Palët do të kenë afat deri në muajin dhjetor për të dorëzuar me shkrim fjalët përfundimtare. Ndërsa në fillim të vitit të ardhshëm pritet vendimi final i Panelit të Gjyqtarëve.

Deri më tani, në mbështetje të mbrojtjes kanë dëshmuar: James Rubin, ish-zëdhënës i Madeleine Albright; Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje; si dhe John Duncan, ish-këshilltar i Komandantit të NATO-s, Wesley Clark.