Ish-presidenti francez, Nicolas Sarkozy, u dënua të enjten me pesë vite burg nga një gjykatë në Paris, pasi u shpall fajtor për konspiracion kriminal lidhur me përpjekjet e bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë për të siguruar fonde nga regjimi i ish-diktatorit libian Muammar Gaddafi për fushatën e tij presidenciale të vitit 2007.
Gjykata e shpalli të pafajshëm për akuzat e tjera, përfshirë korrupsionin dhe financimin e paligjshëm të fushatës, por vendimi i tanishëm nënkupton se Sarkozy do të duhet të vuajë dënimin, edhe nëse apelon, një masë që u konsiderua më e ashpër se pritshmëritë.
Sipas prokurorisë, Sarkozy kishte bërë një marrëveshje me Gaddafin në vitin 2005, kohë kur ishte ministër i Brendshëm i Francës, për të marrë mbështetje financiare në këmbim të përfshirjes së Francës në thyerjen e izolimit ndërkombëtar të Libisë, transmeton Klankosova.tv.
Gjykata theksoi se nuk kishte prova direkte që Sarkozy kishte marrë para nga Libia apo se ato kishin hyrë në arkën e fushatës së tij, megjithatë u gjet fajtor për lejimin e bashkëpunëtorëve të tij që të lidhnin kontakte me zyrtarë libianë për të siguruar financim.
“Shumëçka mbetet e paqartë dhe e errët mbi mënyrën se si qarkullonin këto fonde”, deklaroi gjykata, duke shtuar se koha e ngjarjeve ishte “e përputhshme” me përgatitjet për zgjedhjet e vitit 2007.















