Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit është kthyer në njëfarë bankomati për çiftin Blerim Haxhiaj dhe Elmaze Nura.
Gazetari i Radio Televizionit të Kosovës dhe regjisorja e profesoresha e Universitetit të Prishtinës kanë përfituar plot 230 mijë euro projekte që nga viti 2021, nga ministria që e drejton Hajrulla Çeku – tash kandidat për Kryetar të Prishtinës.
Herë me projekte individuale, herë me një organizatë joqeveritare që e drejtojnë ata, e herë djali i tyre me një organizatë tjetër.
Në vitin 2025, organizatës CULT CLUB, që drejtohet nga Elmaze Nura, e ku në bord është edhe Blerim Haxhiaj, ju ndanë plot 100 mijë euro për programin e punës për vitin 2025, 2026 dhe 2027.

Në po këtë vit, para pak ditësh, Elmaze Nura mori 4 mijë euro mbështetje nga MKRS-ja për doktoratën e saj në një universitet në Maqedoninë e Veriut.

Në fakt, në postimet e saj në rrjete sociale, ajo del se ka doktoruar në muajin korrik të këtij viti.

Këtë vit, pa përkrahje shtetërore nuk ka mbetur as djali i tyre, Glauk Haxhiaj, që është drejtor ekzekutiv dhe përfaqësues i organizatës “IZI”. Kësaj organizate, nga MKRS-ja, këtë vit i janë dhënë 11 mijë euro.

Për programin e vitit 2024, OJQ CULT CLUB përfitoi nga MKRS-ja 30 mijë euro.

Në vitin 2023, e njëjta organizatë mori nga po e njëjta ministri 15 mijë euro për një projekt të titulluar “Kosova – Brazili i Ballkanit”.

Por, po këtë vit, kjo organizatë përfitoi edhe 25 mijë euro të tjera për programin vjetor të punës.

Edhe viti 2022 ishte vit i frytshëm me fonde për organizatën e Haxhiajt e Nurës.
30 mijë e 400 euro ju ndanë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit kësaj organizate për programin vjetor të punës.

Në vitin 2022, Elmaze Nurës, përkundër se me organizatë mori mbi 30 mijë euro, ju ndanë edhe 5 mijë e 340 euro për të marrë pjesë në një festival në Greqi.

Ndërkaq, në vitin 2021 organizata e drejtuar nga Nura dhe Haxhiaj mori 3 mijë euro mbështetje nga MKRS-ja.

E në të njëjtin vit, Elmaze Nura si individ u mbështet me 2 mijë euro për një tjetër projekt.

Por nuk ishin këto të vetmet.
Një tjetër projekt prej 5 mijë euro ju nda OJQ CULT CLUB nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në vitin 2021.

Në deklarimin e pasurisë, të bërë nga Elmaze Nura, në cilësinë e profesoreshës në Universitetin e Prishtinës, konstatohet se ajo dhe bashkëshorti i saj, gazetari i RTK-së, Blerim Haxhiaj, marrin pagë nga organizata e tyre.
Elmaze Nura ka deklaruar në formularin e saj të vitit 2025 se honorarët vjetorë për të, nga organizata që vet e drejton, kanë qenë 6 mijë euro.
Ndërkaq, bashkëshorti i saj, Blerim Haxhiaj, ka marrë nga organizata CULT CLUB 5 mijë e 300 euro pagesë si honorar.

Në këtë formular, Nura ka deklaruar se vetëm nga viti 2020 deri në vitin 2022 kanë blerë 4 banesa.
Dy kanë kushtuar gjithsej 120 mijë euro, e dy të tjera 268 mijë euro.

Por, ani pse kanë blerë gjithë këtë pasuri, paratë e gatshme janë të majme në kontot e tyre.
Veç Elmaze Nura i ka rreth 43 mijë euro para të gatshme në banka.
E bashkëshorti i saj, gazetari Blerim Haxhiaj, ka në bankë rreth 92 mijë euro.

Fatmirësisht për ta, me gjithë këtë pasuri e projekte, detyrimet janë të vogla.
Nura ka deklaruar 46 mijë euro detyrime kreditore.
Blerim Haxhiaj punon në Radio Televizionin e Kosovës. Ai realizoi një intervistë me Kryeministrin Albin Kurti para disa javësh, por pesha e saj nuk ishte çfarë tha Kurti, por pyetjet krejtësisht limonadë e relativizuese nga Haxhiaj. Dje, të dytë, u panë në qytet në një bashkëbisedim me ish ministren e Drejtësisë, e tash nënkryetaren e Kuvendit, Albulena Haxhiu.














