Tre të dyshuarit kryesorë për vrasjen e trefishtë në qendër të Gjilanit, vazhdojnë të jenë në arrati.
Mefail Shkodra, Engjull Shkodra dhe Edonis Shkodra, prej të dielës, janë të pakapshëm për shtetin.
Pavarësisht spekulimeve se mund të kenë dalë në Serbi, një gjë e tillë ka mbetur e pakonfirmuar nga institucionet.
Dyshimet kryesore për këtë rast ndërlidhen me fajde.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur disa prej masave që ka ndërmarrë për këtë rast.
“Policia e Kosovës ka ndërmarrë masa të shtuara për lokalizimin dhe arrestimin e të dyshuarve të këtij rasti të rëndë. Përveç masave operative që i kemi në vazhdimësi kemi apeluar edhe përmes mediave duke i bërë publike profilet e personave të dyshimtë të kërkuar dhe kushdo që posedon informacion në lidhje me vendndodhjen e tyre ta kontaktoj Policinë e Kosovës ku do qoftë në stacionin ma të afërt. Janë njoftuar të gjitha pikatë kufitare që nga momenti i parë kur është raportuar rasti. Janë zhvilluar shumë bastisje në lokacione të ndryshme ku kemi besuar se mundë të strehohen të dyshuarit”, bëri të ditur dje Policia e Kosovës.
Në anën tjetër, për shkak të hetimeve lidhur me veprimet hetimore e policore për këtë vrasje, janë suspenduar katër policë.
Kështu bëri të ditur Inspektorati Policor i Kosovës.
“Bazuar në autorizimet ligjore dhe në rëndësinë e ruajtjes së integritetit të hetimit dhe shmangien e çdo ndikimi mbi dëshmitarë apo prova, Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin për katër zyrtarë policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan. Bazuar në rekomandimin e IPK-së janë suspenduar një rreshter policor dhe një hetues nga njësiti i hetimeve rajonale të Drejtorisë rajonale në Gjilan, një rreshter policor – shef i hetimeve në Stacionin Policor të Novobërdës dhe një zyrtar policor i angazhuar në Njësinë e Reagimit të Shpejtë, Drejtoria Rajonale e Policisë Gjilan. Inspektorati Policor i Kosovës, në koordinim me Kryeprokurorin e Prokurorisë Themelore Gjilan është duke zhvilluar hetime penale paraprake ndaj të lartcekurve lidhur me dyshime për përfshirje në veprimtari të kundërligjshme me elemente të veprës penale”, thuhej në njoftimin e IPK-së.
Kurse, ditën e djeshme, Enis Shkodra, djali tjetër i Mefailit, u lirua 48 orë pas arrestimit.
Kjo pasi ai nuk kishte të bënte diçka me ngjarjen, dhe ishte duke punuar si kameraman në dasma.
Lirije Kovani, avokatja e Enis Shkodrës, djalit të Mefail Shkodrës, ka treguar ekskluzivisht për Nacionalen, se si u lirua sot Enis Shkodra pas ndalimit 48 orësh.
Ajo rrëfen se si ishte njoftuar Enis Shkodra për rastin që ndodhi të dielën në Gjilan dhe se si alibia e tij ishte, se në ato momente, ai ndodhej në një nga restorantet e Gjilanit, në një aheng, siç thotë avokatja “duke ushtruar profesionin e tij si kameraman’.
“Shprehi ngushëllimet për familjarët e viktimave, për rastin tragjik të së dielës. Fillimisht të sqaroj për opinionin publik, që kam qenë mbrojtëse e njërit prej anëtarëve të familjes së ngushtë. I njëjti ka alibi se në kohën kur ka ndodhur rasti, i njëjti ka qenë duke bërë video-xhirime në një aheng familjar në një nga restorantet e komunës së Gjilanit. Ai është njoftuar nga nëna e tij për rastin që ka ndodhur dhe me të arritur në vendin e ngjarjes i njëjti i dëgjon njerëzit që flasin për rastin dhe për një moment, zyrtarët policorë e pyesin se kush është, i njëjti tregon se kush është dhe e marrin, e fusin në veturë zyrtare”, tha ajo.















