Në qershor të vitit 2022, Qeveria e Kosovës kishte miratuar bartjen e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) nga Ministria e Financave në Zyrën e Kryeministrit. Kryeministri Albin Kurti atëbotë e arsyetoi këtë veprim duke thënë se ASK-ja po “rikthehej aty ku duhet të jetë”. Por, tani duket se përfituesit e parë të këtij “rikthimi” janë të afërmit e njerëzve të pushtetshëm në Zyrën e Kryeministrit, shkruan Demokracia.com.

Një tender i shpallur së fundmi nga ASK për prodhimin e spoteve informuese për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025 është fituar nga kompania “Management & Development Associates L.L.C.”, e regjistruar në emër të Driton Dalipit, vëllait të Luan Dalipit, shefit të kabinetit të Kurtit.

Vlera e kontratës është 13,979.98 euro, ndërsa kompania pritet të nënshkruajë sot marrëveshjen me Agjencinë e Statistikave të Kosovës, shkruan Demokracia.com.

Sipas dokumenteve të publikuara në platformën e prokurimit elektronik, kompania do të realizojë një seri videospotesh dhe radiospotesh që kanë për qëllim edukimin dhe informimin e qytetarëve për procesin zgjedhor. Lista përfshin mbi 20 produkte audiovizuale – që nga mënyra e aplikimit të subjekteve politike, deri te parandalimi i gjuhës së urrejtjes dhe promovimi i transparencës në qendrat e numërimit.

Pjesë e obligimeve të kontraktuara janë, ndër të tjera:

  • Videoanimacione në cilësi 4K me voice-over profesional, infografika, përkthim në dy gjuhë dhe interpretim në gjuhën e shenjave;
  • Spote informuese për regjistrimin e votuesve jashtë vendit dhe për personat me nevoja të veçanta;
  • Spote motivuese për të rinjtë dhe gratë;
  • Radiospote në pesë gjuhë, dhe përkthim/lektorim në gjuhët boshnjake, turke dhe rome.

Pak ditë më parë, mediat raportuan se e njëjta kompani – MDA L.L.C. ishte licencuar për tregtim me energji elektrike dhe kishte nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me KOSTT-in dhe KEDS-in, duke hyrë zyrtarisht në tregun energjetik të Kosovës. Në njoftimin e saj, kompania e përshkroi këtë hap si një “arritje të madhe drejt furnizimit të besueshëm me energji për klientët e saj të ardhshëm”.

Licenca për MDA-në u lëshua më 10 korrik 2025 nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), kompania është e regjistruar në emrin e Driton Dalipit, por është themeluar nga Luan Dalipi, siç del nga formulari i deklarimit të pasurisë së këtij të fundit për vitin 2021. Në këtë formular, Dalipi kishte raportuar të hyra vjetore prej 6,000 euro nga angazhimi si konsulent në këtë kompani, ndërsa e kishte cilësuar MDA-në si burimin kryesor të të ardhurave të tij.

Në deklarimin më të fundit, Dalipi tha se nuk ka më asnjë aksion dhe as të hyra nga kjo kompani. Por në maj të këtij viti, kur doli lajmi se kompania po priste të licencohej për tregtim të energjisë, Dalipi u detyrua të reagojë publikisht. “Vëllai im nuk është ministër, nuk është këshilltar. Është thjesht një qytetar i lirë që pas 20 vitesh në biznes, ka vendosur të provojë fatin në tregun e liberalizuar të energjisë”, deklaroi ai.

Megjithatë, koha dhe mënyra se si MDA ka hyrë në projekte publike që lidhen direkt me Zyrën e Kryeministrit, ngre dyshime për konflikt interesi, ndikim të mundshëm politik dhe përfitim nga afërsia me pushtetin.