Pasi PDK-ja, nuk e kandidoi për kryetar të Drenasit, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, i ka bërë ftesë Ramiz Lladrovcit që të kthehet në partinë që dikur i takonte. Anëtari i kryesisë së AAK-së, Besnik Krasniqi, ka thënë se partia e Ramush Haradinajt e mirëpret kryetarin e Drenasit.
“Nëse Ramiz Lladrovci do të vendoste të rikthehej në shtëpinë e tij të vjetër politike – në AAK – ai do të ishte i mirëpritur me nder. Aleanca është dhe mbetet shtëpia ku mblidhen ata që nuk janë përkulur as dje, as sot. Dhe kush e njeh këtë shtëpi, e di që kthehet aty ku i përket”, ka shkruar Krasniqi.
Kujtojmë se Lladrovci, para se të jetë pjesë aktive e PDK-së, ka qenë pjesë e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.















