Ekaterina Trendafilova, kryetarja e Dhomave të Specializuara të Hagës, e ka arsyetuar vendimin e gjyqtarëve që po refuzojnë lirimin nga paraburgimi të krerëve të UÇK-së.
Në një intervistë me shkrim për gazetën Nacionale, Trendafilova ka thënë se gjyqtarët i analizojnë në mënyrë të hollësishme të gjitha rrethanat para se të vazhdohet paraburgimi.
E pyetur nëse Gjykata Speciale po i shkel praktikat ndërkombëtare se paraburgimi është përjashtim, e jo rregull, Trendafilova ka thënë se kjo nuk qëndron.
“E vërtetë, paraburgimi është përjashtim, dhe ky është rasti edhe me Dhomat e Specializuara. Bazuar në rregullimin ligjor të Dhomave të Specializuara, vendimi për paraburgimi duhet të vlerësohet dhe rishikohet çdo dy muaj. Ky shqyrtim dy-mujor bëhet pas një analize rast pas rasti të rrethanave specifike që qëndrojnë në themel të secilit shqyrtim, dhe arsyeve të hollësishme në përputhje me rrethanat. Gjyqtarët urdhërojnë vazhdimin e paraburgimit nëse ata e vlerësojnë se ekziston rrezik që i pandehuri të arratiset, të pengojë procedurat, apo të kryejë krime të tjera”, tha ajo.
“Fakti se personat nuk po lirohen, bazuar në një analizë kaq komplekse dhe të detajizuar, nuk mund të çojë në përfundimin se paraburgimi është bërë rregull dhe lirimi i përkohshëm përjashtim. Kjo thjeshtë nuk është pasqyrim i saktë i kuadrit ligjor, i cili është plotësisht në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe vendimet gjyqësore që janë marrë nga Dhomat e Specializuara”, tha ajo më tutje.
E para e Dhomave të Specializuara foli gjithashtu edhe për lartësinë e dënimeve nga Dhomat e Specializuara, dhe faktin se ka dyshime që nuk po respektohet Konventa për të Drejtat e Njeriut.















