Deputetët e VV-së dje janë ankuar në gjuhen e kolegëve të tyre nga ish-opozita.

Mimoza Kusari-Lila dhe Fitore Pacolli kanë kritikuar deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së për gjuhen që po përdorin ndaj tyre brenda sallës së Kuvendit.

Sipas tyre, kjo gjuhë është fyese dhe denigruar. Por, deputetet në fjalë duket se kanë harruar gjuhen fyese që lideri i tyre, Albin Kurti, ka përdorur gjatë fushatës zgjedhore, pas zgjedhjeve dhe tani në proces të krijimit të institucioneve ndaj deputetëve të “opozitës”.

As Kusari-Lila dhe as Pacolli asnjëherë nuk e kanë dënuar gjuhen e të parit të VV-së, Albin Kurti, i cili në tubimin festim të zgjedhjeve të 9 shkurtit “opozitën” e kishte quajtur “hajvan”.

Pas ndërprerjes së djeshme të seancës, deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, u ankua për gjuhen e “opozitës” ndaj kolegeve të saj.

Në një konferencë për media, ajo ka deklaruar se gjuha e deputetëve ka degraduar.

“Gjuha brenda seancës nga deputetët me komente po degradon çdo ditë. E kemi parë ditë më parë nga deputeti i LDK-së me formën, mënyrën dhe trajtimin ndaj një deputeteje të VV-së, sot e pamë prapë nga deputetja e AAK-së, zonja Kadrijaj, në mënyrën dhe formën si ju drejtua një deputetes të Grupit Parlamentar të LVV-së”, ka thënë ajo, duke paralajmëruar se kjo gjuhë mund të bëhet normë në Kuvend.

“Targetimet, fyerjet dhe ofendimet që i bëhen një deputetes grua në Kuvendin e Kosovës është i papranishëm, i dënueshëm dhe si i tillë nuk bënë të krijohet normë ose të përsëriten”, ka thënë Kusari-Lila.

Pas saj, u ankua edhe deputetja tjetër e VV-së, Fitore Pacolli.

Në profilin e saj në “Facebook”, ajo ka shkruar se gjatë seances asaj iu përmendur terapia.

“Sa herë më sulmoni, vetëm më bëni më të fortë. Timja e di shumë mirë për cilën terapi bëhet fjalë. Por ajo ka menduar se, nëse e përmend publikisht, do të më bëjë të ndihem keq. Po Time, unë kam folur hapur për këtë terapi. E kam ditur që, kur të flas në publik, do të ketë edhe njerëz si ju që mund të tentojnë ta shfrytëzojnë këtë dhe të më lëndojnë. Por kjo nuk ka pasur dhe nuk ka rëndësi. E rëndësishme është që kam folur për një çështje që prekin shumë çifte në vendin tonë, në rrugëtimin e tyre për të u bërë prindër. Diskutimi i hapur për tema që ende mund të konsiderohen tabu nuk është dobësi, përkundrazi. Po ashtu, është e rëndësishme që, së paku mes grave, të ketë solidaritet dhe mbështetje, e jo sulme të tilla të ulëta si kjo”, ka shkruar Pacolli.

Çka kishte thënë Kurti?

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, gjatë gjithë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurti kishet fyer opozitën, duke përdorur gjuhë denigruese ndaj tyre.

Këto fyerje e arritën kulmin në ditën e zgjedhjeve. Në festen e fitores së zgjedhjeve, Kurti i kishte quajtur “hajvan” liderët e opozitës.

“E keni parë çfarë rrenash prej premtimeve kanë dhënë. Thonin buxheti i shtetit do të bëhet më i madh se bruto produkti vendor. Çfarë hajvanash! Ose jepnin premtime për koeficient më shumë se programi i tyre. Çfarë hajvanash! Por, ka kalu koha e hajvanatit”, kishte thënë Kurti.

I pari i VV-së nuk u ndalë me fyerje ndaj deputetëve të opozitës as tash në procesin e konstituimit të institucioneve të reja.

Derisa shkonte në njërën nga seancat, ai kishte thënë se deputetët e opozitës janë nomadë.

“Në këtë frymë, më lejoni që deputetët opozitarë, të cilët nuk po duan që Kosova të ketë Kuvend, pra që ata të kenë shtëpi, t’i quaj deputetë nomadikë. Sepse nomadët janë ata të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi”, ishte shprehur ai.

“Mund të dëshirosh të kesh shtëpi dhe të mos kesh shtëpi e të jesh refugjat, ta zëmë. Por ata të cilët nuk duan të kenë shtëpi janë nomadë. Prandaj këta janë deputetë nomadikë, të cilët nuk dëshirojnë të kenë shtëpi të tyre, sepse shtëpia – Parlamenti i Republikës – është shtëpia e deputetëve, sidomos opozitarëve”, kishte deklaruar Kurti.