Inspektorati Policor i Kosovës i ka rekomanduar Policisë suspendimin e një zyrtari policor të stacionit qendror në Prishtinë, pasi dyshohet se e ka përdorur armën zyrtare duke shtënë për motive ende të paqarta mbrëmë në një fshat të Kamenicës.
IPK thotë se nga veprimet hetimore ka marrë vesh se polici ishte i përfshirë në incidentin në Kamenicë/
“Bazuar në autorizimet ligjore, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin e përkohshëm ndaj një zyrtari policor të Stacionit Policor Qendra, Drejtoria Rajonale e Policisë Prishtinë. Hetuesit e IPK-së kanë filluar të ndërmarrin veprime hetimore pas pranimit të informacioneve për një incident që ka ndodhur mbrëmë në një fshat të Komunës së Kamenicës ku i përfshirë dyshohet të jetë zyrtari policor. Nga veprimet hetimore fillestare dyshohet se zyrtari në fjalë ka përdorur armën jashtë detyrës zyrtare duke shtënë me armë për motive të paqarta deri më tani”, thuhet në njoftimin e IPK-së.














