Policia e Kosovës ka dalë me një apel dhe një paralajmërim për qytetarët që të kenë kujdes të mos shkaktojnë zjarre në mes të temperaturave të larta aktualisht.
Policia rajonale e Ferizajt tha se gjatë javës janë raportuar disa raste të zjarreve, përfshirë vende në komunën e Ferizajt, Shtimes dhe Hani Elezit. Megjithatë, policia tha se aktualisht nuk ka asnjë vatër aktive të zjarrit në rajonin e Ferizajt.
“Policia Rajonale e Ferizajt ka ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme dhe ka angazhuar personel të mjaftueshëm për menaxhimin dhe trajtimin e rasteve të zjarreve në gjithë territorin e rajonit të Ferizajt. Për këtë arsye, policia është duke bashkëpunuar ngushtë me institucionet lokale dhe agjencitë përgjegjëse për të parandaluar dhe lokalizuar çdo rrezik potencial nga zjarret. Megjithatë, policia apelon tek qytetarët që të tregojnë kujdes të shtuar, veçanërisht gjatë ditëve me temperatura të larta dhe erëra të thata, duke shmangur në çdo rrethanë djegien e mbeturinave, hapësirave fushore apo pyjore. Pasojat e zjarreve mund të jenë të rënda, të pakthyeshme dhe me rrezik për jetën, mjedisin dhe pronën”.















