Në kërkesën e saj për masën e sigurisë për Valon Sylën, Prokuroria e Prishtinës përshkruan detaje interesante rreth ngjarjes për të cilën dyshohet gazetari.

Në dosjen e saj, Prokuroria pretendon se për shkak të xhelozisë, i pandehuri e ka sharë, ofenduar, kafshuar e kapur për flokësh të dëmtuarën.

Sipas dosjes, Valon Syla dhe e dëmtuara kishin qenë në një aheng familjar dhe aty kishte filluar një mosmarrëveshje verbale për motive të xhelozisë.

Tutje Prokuroria pretendon se Valon Syla kishte kafshuar të dëmtuarën në shpinë, dhe ka përdorur në vazhdimësi gjuhë fyese dhe se më pas kanë dalë jashtë objektit ku mbahej ahengu familjar.

Prokuroria tutje pretendon se me të arritur Valon Syla me të dëmtuarën te vendi ku banon e dëmtuara, kjo e fundit kishte tentuar të dalë jashtë veturës, por i dyshuari e kishte kapur me dhunë, dhe duke e shtrënguar e kishte mbajtur me forcë në veturë dhe e kishte kapur për flokë.

Veprimet e dhunshme, sipas Prokurorisë, nuk kishin përfunduar me kaq.

Në dosje thuhet se Valon Syla tutje e ka kapur për dore, duke e shtrënguar si dhe ia kishte kapur faqen me dhunë

Pasi ngjarja kishte përfunduar te vetura, sipas Prokurorisë, Syla kishte shkuar te dera e vendit ku banonte e dëmtuara dhe kishte trokitur me forcë disa herë dhe kishte përdorur fjalë ofenduese ndaj të dëmtuarës.

“Ka***c, rrospi, rrënce, mashtruese, tradhtare…” janë disa prej fjalëve që Prokuroria i ka përmendur në dosjen e saj kur ka kërkuar masën e sigurisë ndaj të dyshuarit.

Sipas dosjes së Prokurorisë, Valon Syla me dashje dhe qëllim të cenimit të dinjitetit ka ushtruar dhunë fizike dhe psikike ndaj të dëmtuarës.

KALLXO.com ka kontaktuar të dyshuarin për këtë rast, Valon Sylën, i cili ka thënë se gjysma e pretendimeve të Prokurorisë nuk janë të vërteta.

Sipas Sylës, e tërë ngjarja është zhvilluar në veturë, ku edhe e kishte kapur për krahu të dëmtuarën “e aty ka mundur t’i tërhiqen flokët pakëz”.

Kurse lidhur me pretendimin e Prokurorisë se ka pasur kafshim, Syla e ka mohuar këtë pretendim.

“Nuk i kam pranu ato, gjysa nuk janë të vërteta. Ka qenë një kapje për dore e ju kanë kapë pak edhe flokët. U kanë do me thanë përlamje, fjalosje, kur ka dashtë me dalë prej kerri e kam kapë për dore, aty kanë mujtë pak me ju kapë flokët. Tani kjo prej afektit ka shku ka thënë jo kafshim, jo kështu, po unë e kam mohu atë”- ka thënë Syla në një prononcim për KALLXO.com

Tutje KALLXO.com ka tentuar të kontaktojë edhe avokatin e tij, Kushtrim Palushin, por i njëjti nuk e ka hapur telefonin.