Dhomat e Specializuara të Hagës ua kanë refuzuar lirimin e përkohshëm Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Për vendimin ndaj këtij të fundit jane publikuar detajet dje, përderisa Specialja ka publikuar edhe vendimet për Veselin e Selimin.

Në vendimin për Rexhep Selimin, gjyqtarët kanë përmendur fuqinë e tij politike para dhe pas luftës, si arsye që Selimi mund të ketë informacion dhe mund të ndikojë më lehtë në dëshmitarë.

“Paneli vëren se, në Vendimin e fundit për Rishikimin e Paraburgimit, ai përcaktoi, ndër të tjera, se: (i) Pozicionet e kaluara dhe të tashme të ndikimit të z. Selimi në Kosovë, duke përfshirë edhe si Ministër i Punëve të Brendshme dhe zgjedhja në Kuvendin e Kosovës, do t’i mundësonin atij të ndikonte dhe të mobilizonte rrjetin e tij mbështetës; (ii) ekziston një klimë e vazhdueshme e frikësimit të dëshmitarëve dhe ndërhyrjes në procedurat penale kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe (iii) procedurat vazhdojnë të avancojnë dhe z. Selimi vazhdon të fitojë njohuri mbi provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij. Paneli vuri në dukje gjithashtu se, për shkak të natyrës së një gjyqi në vazhdim, emrat dhe të dhënat personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm i janë zbuluar Mbrojtjes së Selimit”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Arsyetimi i njëjtë si ndaj Jakup Krasniqit, është përdorur edhe ndaj Selimit. Sipas gjyqtarëve, ai mund të ndikojë në dëshmitarët e avokatit të viktimave, edhe pse i njëjti ka bërë të ditur se do t’i ketë veç dy ekspertë/ndërkombëtarë.

Më tutje, gjyqtarët pretendojnë se Rexhep Selimi mund të ndikojë edhe në dëshmitarët e mbrojtjes.

“Veçanërisht, Avokati i Viktimave do të paraqesë një listë të dëshmitarëve të mundshëm për çështjen e tij deri më 28 maj 2025, dhe është udhëzuar të jetë gati për të paraqitur çështjen e tij në korrik 2025. Paneli konsideron se arsyetimi që ai aplikoi në lidhje me dëshmitarët e Prokurorisë vlen njësoj edhe për dëshmitarët që do të thirren nga Avokati i Viktimave. Z. Selimi në fund të fundit, brenda një kohe të shkurtër, do të ekspozohet ndaj informacionit të ndjeshëm në lidhje me emrat dhe të dhënat personale të dëshmitarëve, dhe deklaratave të viktimave ose informacionit plotësues mbi dëmin që pretendohet se kanë pësuar shumë viktima. Paneli në shumë raste ka kujtuar se, për shkak të klimës së përgjithshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe viktimave që mbizotëron në Kosovë, viktimat që marrin pjesë në procedura janë veçanërisht të cenueshme. Paneli është i mendimit se rreziku i ndërhyrjes ekziston edhe në lidhje me dëshmitarët që ende nuk janë dëgjuar në këtë çështje – dëshmitarët e Avokatit të Viktimave, si dhe, ndoshta, dëshmitarët e Mbrojtjes”, thuhet në vendimin për Rexhep Selimin.

Fuqinë politike dhe pozitat e tij para dhe pas luftës, gjyqtarët ia kanë përmendur edhe Kadri Veselit, si arsyetim për të mos ia aprovuar kërkesën për lirim të përkohshëm.

“Faktin që Z. Veseli ishte kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Kosovës (“SHIK”), në kohën kur anëtarët e SHIK-ut ishin të përfshirë në ndërhyrjen e dëshmitarëve; dhe (iv) përparimi i procedurave gjyqësore i ofron Z. Veseli një mundësi për të fituar njohuri mbi provat që mbështesin akuzat e rënda kundër tij.67 Paneli gjithashtu mori në konsideratë se: (i) çështja e ZPS-së nuk ishte mbyllur ende zyrtarisht; dhe (ii) për shkak të natyrës së një gjyqi në vazhdim, emrat dhe të dhënat personale të disa dëshmitarëve shumë të ndjeshëm i ishin zbuluar Mbrojtjes së Veselit dhe në këtë kontekst, lirimi i një të akuzuari me informacione të ndjeshme në posedim të tij nuk do të ishte i favorshëm për mbrojtjen efektive të dëshmitarëve që ende nuk kishin dëshmuar”, thuhet në vendim, raporton Nacionale.

Edhe për Veselin, thuhet se mund të ndikojë në dëshmitarët e mbrojtjes, por si mund të ndodh kjo kur ata dëshmitarë paraqiten vullnetarisht për ta ndihmuar mbrojtjen, nuk është treguar.

“Për më tepër, Paneli vëren se dëshmitarët ende nuk janë dëgjuar në këtë rast – dëshmitarë për Viktimat, si dhe, ndoshta, dëshmitarë për Mbrojtjen. Rreziku i ndërhyrjes ekziston edhe në lidhje me ta. Përveç kësaj, rreziku i ndërhyrjes që paraburgimi synon të parandalojë nuk kufizohet vetëm në përpjekjet për të zbatuar një version të caktuar të ngjarjeve. Ai gjithashtu përfshin, për shembull: (i) çdo përpjekje për t’u hakmarrë ndaj dëshmitarëve që kanë dëshmuar në këto procedura; (ii) përpjekjet për të nxitur një dëshmitar të tërheqë dorë nga dëshmia; dhe (iii) përpjekjet për të ndërhyrë te dëshmitarët në procedurat paralele. Lidhur me këtë pikë të fundit, Paneli vëren se procedurat në lidhje me pretendimet për ndërhyrje në rastin aktual janë duke vazhduar”, thuhet në vendim.

Gjyqtarët kanë përmendur gjithashtu edhe incizimet e disa bisedave në Qendrën e Paraburgimit, me të cilat kanë pretenduar se është dëshmuar që Kadri Veseli ka tentuar të ndajë informacione konfidenciale me dëshmitarët.